11.5 C
Tirana
E mërkurë, 6 Dhjetor, 2023

23 vite nga vrasja e Azem Hjadarit, ish-deputetja Rudina Hajdari kujton të atin: Njeri guximtar, veti që mungon në skenën politike shqiptare

Sot shënohen 23 vite nga ekzekutimi i Azem Hajdarit, një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Në këtë ditë të shënuar, vajza e tij Ruina Hajdari i ka dedikuar një mesazh të atit, ku e konsideron atë si një njeri guximtar, veti të cila i mungojnë skenës politike shqiptare.

- Advertisement -spot_imgspot_img

Sot shënohen 23 vite nga ekzekutimi i Azem Hajdarit, një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik.

Në këtë ditë të shënuar, ish-deputetja Rudina Hajdari i ka dedikuar një mesazh të atit. Hajdari shkruan se Azem Hajdari ishte një njeri guximtar, veti e cila mungon sot në skenën poltike shqiptare. Si çdo vit, politikanët nderojnë figurën e Azem Hajdarit si edhe mbajnë homazhe në memorialin e vendosur në vendin ku u vra ai. Ish-deputetja në shkrimin e saj ka kritikuar të gjithë këta politikanë në veçanti Sali Berishën dhe Lulzim Bashën. Edhe përse nuk i përmend me emra, e bija e Azem Hajdarit shkruan se këta politikanë sabotuan mekanizmat demokratikë për ta vendosur shtetin në shërbim ë interesave të familjeve të tyre. Pjesë e kritikës është edhe kryeminsitri Edi Rama.

“Ata që e zvarritën vendin në rrugëtimin e tranzicionit pafund politik, me qëllim i sabotuan institucionet dhe mekanizmat demokratikë me synimin për ta vendosur shtetin në shërbim të interesave të tyre personale e familjare. Kështu për 30 vite, shteti, buxheti, pasuritë natyrore etj, nuk i shërbyen mirëqenies së përgjithshme por interesave të vetëm një grupimi i cili është pasuruar përtej çdo imagjinate, teksa shqiptarët ose janë varfëruar ose kanë emigruar ose ëndërrojnë të emigrojnë teksa ndiejnë se s’kanë të ardhme në këtë vend”, shkruan Hajdari.

Azem Hajdarit iu bënë disa herë atentate, por atentati i 12 shtatorit i mori jetën pranë Selisë Demokratike në Tiranë.  Për këtë krim me burgim të përjetshëm është dënuar Jaho Salihi Mulosmani, Ismet Haxhia i cili tashmë ka lënë qelinë dhe Izet Haxhiaj ish-truproja presidentit Sali Berisha. Por pas 23 vitesh drejtësia shqiptare ende s’ka një vendim final se cila është lidhja e Izet Haxhisë me këtë krim.

Postimi i plotë i Rudina Hajdarit:

Kur Azem Hajdari doli nga godina e PD mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, ai nuk e dinte se nuk do të kthehej më. As nuk e dinte se do të linte mbas një boshllëk në zemrat tona, të familjarëve të tij por edhe në të gjithë historinë që pasoi më pas vendin.

Babi nuk ishte një njeri normal. Përgjatë rrugëtimit tim politik në Shqipëri e kam ndier prezencën e tij të fortë edhe mbas 23 vitesh. Në fshatra e mbanin mend si deputetin e tyre të parë dhe të fundit, njeriu i vetëm që ishte kujdesur të sillte ujë dhe infrastrukturë aty ku qeveria kishte shekuj që i kishte harruar. Në qytet e mbajnë mend si njeriun e njerëzve të thjeshtë që luftonte me burokracinë dhe padrejtësinë.

Azemi ishte luftarak, idealist, guximtar dhe ëndërrimtar. Veti këto të cilat nuk i kemi parë më në skenën politike shqiptare. Ëndrra e tij ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike, ku njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre me besim e pa frikë për të ardhmen e fëmijëve. Fatkeqësisht kjo ëndërr ende nuk është bërë realitet dhe sot dua të flas pak mbi arsyet përse kjo ka ndodhur.

Ata që e zvarritën vendin në rrugëtimin e tranzicionit pafund politik, me qëllim i sabotuan institucionet dhe mekanizmat demokratikë me synimin për ta vendosur shtetin në shërbim të interesave të tyre personale e familjare. Kështu për 30 vite, shteti, buxheti, pasuritë natyrore etj, nuk i shërbyen mirëqenies së përgjithshme por interesave të vetëm një grupimi i cili është pasuruar përtej çdo imagjinate, teksa shqiptarët ose janë varfëruar ose kanë emigruar ose ëndërrojnë të emigrojnë teksa ndiejnë se s’kanë të ardhme në këtë vend.

Kur i sheh sot të ankohen për mungesë demokracie brenda partive të tyre, të vjen të qeshësh e të qash njëkohësisht. Të qeshësh sepse janë viktima perfekte të krijesave të tyre dhe të qash për nivelin e hipokrizisë që shfaqin. Aq keq është dëmtuar shteti shqiptar nga ata që e drejtuan këto 30 vite, aq shumë i kanë shtrembëruar mekanizmat demokratikë, aq shumë i kanë vendosur në kontroll të gjitha burimet e vendit, saqë shoqëria e ka të pamundur sot të vetëkorrigjohet dhe u duhet patjetër ndihma e aleatëve si SHBA të cilëve u duhet të përdorin peshën e rëndë të reputacionit dhe mekanizmat e tyre penalizuese në betejën për të ndërtuar një shtet të vërtetë shqiptar.

Nëse partitë politike do të ishin ndërtuar me parimin demokratik dhe do të funksiononin si të tilla, debati në Shqipëri do të ishte shumë i shëndetshëm. Sot nuk do të flisnim për individë por për çështje. Nuk do të diskutonim për fatin e familjeve politike që kanë grabitur vendin për 30 vite por për fatin e familjeve të thjeshta shqiptare.

Përshembull sot në vend që të debatonim për nivelin e ushqimit që do i privohet një familjeje politike për shkak të një vendimi që SHBA ka marrë, debati duhet të shkonte drejt dëmit që i është bërë qindra mijëra familjeve në nevojë nga rritja e papritur dhe arbitrare e çmimit të bukës. Kryeministri në vend që të mblidhte letrat e teatrit politik në parlament, duhet të mblidhte gjithë bizneset e miellit dhe të merrte masa që kjo të mos ndodhte ose të krijonte kushte rimbursim për ata që nuk e përballojnë dot.

E pra, si ky rast ka me mijëra. Në fakt 30 vite i kemi shpenzuar duke mos debatuar për vendin, për fëmijët, për rininë, për familjet shqiptare por vetëm e vetëm për fatin e 3-4 familjeve politike të cilat ia kanë dalë të ngrenë një sistem të mbyllur i cili nuk ka shumë diferencë nga sistemi monist për nga mënyra se si funksionin.

Nëse atëherë të internonin apo burgosnin kur nuk mendoje në linjën e partisë, sot të përjashtojnë dhe lincojnë publikisht. Nëse atëherë të pushkatonin fizikisht, sot të pushkatojnë politikisht dhe ekonomikisht. Shqipëria do të dalë nga kjo situatë kur shumica e shqiptarëve të kuptojnë se mirëqenia dhe zhvillimi nuk vijnë nga lideri i fortë por nga sistemi i drejtë dhe institucionet e forta të cilat garantojnë demokracinë, lirinë dhe barazinë. Kur të fillojnë të mos mbështesin më parti e individë sepse prej tyre varet ushqimi i ditës por të mbështesin vizionin për ndërtimin e një sistemi i cili tu garantojë mirëqenie gjithë jetën. Kur të vendosin të mos luftojnë më thjesht për mbijetesë por për të ndërtuar një të ardhme të sigurt.

Drejtuesit venë e vijnë, sistemi dhe institucionet mbeten dhe i rezistojnë kohës. Nëse Azemi do të ishte sot mes nesh, do të luftonte pikërisht për këtë. Në fakt energjia dhe kurajo e tij me siguri do ta kishin ndryshuar rrjedhën e historisë.

- Advertisement -spot_imgspot_img
LAJMI FUNDIT
- Your ads here -spot_img
TË NGJASHME
- Your ads here -spot_img