LEZHË– Veshur me uniformën e policisë së shtetit shqiptar, nënkomisarit 45-vjeçar Saimir Hoxha, baba i 2 djemve të vegjël, i është ndërprerë jeta në mes në krye të detyrës, nga një plumb ne zemër i shkrepur nga një 21-vjeçar në Ishull Lezhë pak pas orës 10 të mëngjesit të sotëm.
Nënkomisari Saimir Hoxha i cili do të shpallet ‘Dëshmor i Atdheut” pasi u vra në krye të detyrës nga Aldi Rama, një djalë me precendentë penalë, me një jetë të trazuar, fëmijë i 2 prindërve të divorcuar, i rritur nga gjyshi. Vetë i riu ndërroi jetë në spital, pasi qëlloi veten me të njëjtën armë që vrau efektivin, pas 6 orësh në arrati nga forcat RENEA dhe FNSH. Teksa Report TV po ndiqte live hap pas hapi operacionin, 21-vjeçari bënte përpjekjet e fundit për t’iu shmangur fatit që tashmë vetë e kishte shkruar. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës, siç u pa në pamjet e sjella nga Report Tv, por gjendja e tij ishte e rënduar, për pasojë i intubuar u dërgua drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar mjekësore. 21 vjeçari ka qëlluar veten me pistoletë në fyt.
Ngjarja e rëndë nisi me vrasjen e Hoxhës në orën 10:30 në zonën e kenetës “Laguan Vain. 4 policët, mes tyre edhe Saimir Hoxha, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike u përballën me autorin, pasi ishin në inspektim për parcelë droge. Rrugës nëpër kënetë, përballë u shfaqet makina ku ishte 21 vjeçari i cili qëndronte në shtëpinë e xhaxhait të tij në Ishull Lezhë, bashkë me 3 shokët e tij. Efektivët e policisë ua kanë bërë me dorë që të ndalojnë makinën, por ata s’e kanë bërë një gjë të tillë. Kur nënkomisari Hoxha dhe bashkë me efektivët e tjerë i kanë bërë postbllok makinës, Aldi Rama shtiu me armë drejt tyre. Plumbi zuri nënkomisarin Hoxha kurse efektivët e tjerë ranë në kanal. Aldi Rama ka mundur të largohet me shpejtësi në mes të pyllit, kurse policia mundi të arrestojë dy personat që ishin në makinë me Aldi Ramën në momentin e ngjarjes, Kristian Sherrin dhe Armando Markun. Ndërkohë raportohet se në makinë ka qenë dhe një person i katërt, i cili është ende në arrati.
Saimir Hoxha, 44 vjec baba i dy fëmijëve, vëllai i kryegjyqtares së Pukës, mori një plumb vdekjeprurës në krah të majtë të zemrës dhe megjithëse u dërgua në spital nuk mundi të mbijetoi. Policia vuri si shpërblim për këdo që dërgonte informacion mbi vendodhjen e autorit, 20 mijë euro. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat RENEA dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj. Në mbështetje të forcave këmbësore, shkuan edhe dy helikopterë. Dyshimet e para ishin se i riu u fsheh në një vilë në mes të Vainit, por policia nuk e gjeti aty. 2 persona të tjerë janë arrestuar për këtë ngjarje, të cilët kanë qenë në automjet me autorin e krimit.
Aldi Rama ka qenë i ndaluar në vitin 2018 për herë të parë për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa në vitin 2020 është ndaluar sërish parë mbajtje pa leje e armëve të ftohta.