Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli është e vetmja zgjidhje për dialogun, Kosovë-Serbi, është shprehur kështu presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë.
“Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që të shtensionohet situata, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyra sesi mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale”, deklaroi von der Leyen.
Ndërkohë që kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova ka ofruar marrëveshje me kusht që të respektohet reciprtociteti.
“Ne do të donim që të mos ketë barrikada, e as të ketë sulme siç kanë qenë disa me elemente terroriste. Gjithashtu, duhet të jenë dhe kufitarët tanë aty jo forcat speciale. Këtë shtet e kanë njohur 22 shtete të BE, pavarësia e Kosovës është realitet. Sa më shpejt të pranohet kjo, do të jetë më e mirë për të gjithë ne. Serbët në Kosovë janë shumë respektues ndaj masave tona, por atje ka një kryetar që flet me gjuhën e viteve ’90. Unë jam i gatshëm të pranoj zgjidhjen e re që nënkupton gjithë përfshirjen dhe reciprocitetin. Nuk ka barazi pa reciprocitet”, tha Kurti.
Ofertë të cilën e ka vlerësuar edhe presidentja Von Der Leyen. Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për deklarata luftënxitëse që çuan në djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në veri të vendit më 25 shtator. Kurti tha po ashtu se Serbia në njërën anë merr donacione nga Bashkimi Evropian e në anën tjetër armatoset me armë nga Rusia dhe Kina.
“Fatkeqësisht jemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia, përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina”, deklaroi Kurti.
Që prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin për targat nga Serbia, serbët lokalë kanë bllokuar dy rrugë që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Von der Leyen tha se do të vazhdojë te jetë në kontakt me Qeverinë e Kosovës, sepse sipas saj, ajo dëshiron që të shohë Kosovën të shënojë përparim.