TIRANË- Aldi Rama, 21-vjeçari që vrau dje nënkomisarin Saimir Hoxha në Lezhë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në spitalin e Traumës. I riu qëlloi veten me pistoletë në fyt, në lagunën e Kune-Vainit gjatë operacionit të RENEA-s për arrestimin e tij, pas vrasjes së efektivit të policisë.
Ndërkohë që mësohet se homazhet në nder të oficerit të Policisë të vrarë në krye të detyrës do të mbahen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Ngjarja e rëndë u shënua mëngjesin e së martës (28 shtator) në zonën e Ishull Lezhë, ku Aldi Rama hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, e ku mbeti i vdekur në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha, babai i dy fëmijëve. Aldi Rama, i rritur nga gjyshërit, pasi prindërit i kishte të divorcuar, ishte me precedent të mëparshëm penal. Në moshën 18-vjeçare kishte përfunduar në burg, pasi ishte akuzuar për vjedhje dhe posedim kanabisi, ndërkohë që ishte kallëzuar edhe nga e dashura e tij për dhunë fizike. Edhe në vitin 2020 ai është ndaluar sërish për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.
Si ndodhi vrasja e nënkomisarit
4 policët, mes tyre edhe Saimir Hoxha, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike u përballën me autorin, pasi ishin në inspektim për parcelë droge. Rrugës nëpër kënetë, përballë u shfaqet makina ku ishte 21 vjeçari i cili qëndronte në shtëpinë e xhaxhait të tij në Ishull Lezhë, bashkë me 3 shokët e tij. Efektivët e policisë ua kanë bërë me dorë që të ndalojnë makinën, por ata s’e kanë bërë një gjë të tillë. Kur nënkomisari Hoxha dhe bashkë me efektivët e tjerë i kanë bërë postbllok makinës, Aldi Rama shtiu me armë drejt tyre. Plumbi zuri nënkomisarin Hoxha kurse efektivët e tjerë ranë në kanal. Aldi Rama ka mundur të largohet me shpejtësi në mes të pyllit, kurse policia mundi të arrestojë dy personat që ishin në makinë me Aldi Ramën në momentin e ngjarjes, Kristian Sherrin dhe Armando Markun. Ndërkohë raportohet se në makinë ka qenë dhe një person i katërt, i cili është ende në arrati.
Saimir Hoxha, 44 vjeç baba i dy fëmijëve, vëllai i kryegjyqtares së Pukës, mori një plumb vdekjeprurës në krah të majtë të zemrës dhe megjithëse u dërgua në spital nuk mundi të mbijetoi. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat RENEA dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj. Në mbështetje të forcave këmbësore, shkuan edhe dy helikopterë. Dyshimet e para ishin se i riu u fsheh në një vilë në mes të Vainit, por policia nuk e gjeti aty. 2 persona të tjerë janë arrestuar për këtë ngjarje, të cilët kanë qenë në automjet me autorin e krimit.