3 ditë para ndeshjes me Hungarinë, Kombëtarja Shqiptare është në stres, pasi një futbollist i tyre dhe fizioterapisti kanë rezultuar pozitiv me COVID. Bëhet fjalë për mbrojtësin Erjon Hoxhallari që vjen nga klubi i Tiranës, si edhe fizioterapistin, Arzen Voci dhe kjo ka shtuar frikën në radhën e futbollistëve, sepse të dy ishin grumbulluar me kuqezinjtë dhe kanë pasur kontakte edhe me futbollistë të tjerë.
“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije për mediat dhe opinionin publik se ditën e djeshme është larguar nga grumbullimi mbrojtësi Erjon Hoxhallari si edhe fizioterapisti i Kombëtares, Arzen Voci, të cilët pas testeve të kryera kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Hoxhallari dhe Voci janë larguar menjëherë nga hoteli ku gjenden të grumbulluar për t’u karantinuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kësisoj, Hoxhallari nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet që cilësohen si vendimtare për Shqipërinë në ëndrrën për të prekur zonën e play-off-it, ku fillimisht do të luajnë më 9 tetor ndaj Hungarisë në transfertë, ndërsa tre ditë më vonë, më 12 tetor do të presin Poloninë në stadiumin “Air Albania”, njofton FSHF.