Pas më shumë se një viti mësimi online, studentët dhe pedagogët do të rikthehen në auditore për vitin e ri akademik 2021-2022. Kusht për tu futur në auditore është certifikata e vaksinimit, ku pedagogët dhe studentët duhet të kenë kryer të paktën një dozë të vaksinës anti-COVID ose të paraqisin një test PCR negativ.
Por ditën e sotme në Universitetin e Korçës, Durrësit dhe Elbasanit është thyer rregulli i vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, pasi studentët e pavaksinuar janë lejuar në auditore. Përfaqësues të universiteteve kanë thënë për Kuqezi se studentët po këshillohen që të bëjnë vaksinën. Zv.rektori i Unversitetit ‘Fan Noli’ në Korçë tha se studentët e pavaksinuar do të lejohen në auditore, pasi nuk mund të privohen nga mësimi. Sipas tij, kështu po respektohet autonomia e universitetit.
Sipas rektorit të Universitetit të Gjirokastrës, janë vaksinuar rreth 45% e studentëve, ndërsa për pjesën tjetër ky universitet do të ofrojë mësim online ose studentët do të marrin leksione dhe seminare në përfundim të semestrit për të plotësuar njohuritë. Rektori Bektesh Mema thotë se këto dy skenarë do shqyrtohen në vijim.
Tensione ka pasur në Fakultetin e Filologjisë dhe Historisë mes studentëve dhe kontrollorëve, pasi këta të fudnit nuk i lejuan studentët e pavaksinuar të futen në auditore.
Por përpos atyre që do të hyjnë në auditore për të ndjekur leksionet dhe seminarët, të tjerë studentë do të jenë në një marshim protestë para Kampusit Universitar. Ata kundërshtojnë detyrimin për tu vaksinuar si një kusht për tu pranuar brenda ambienteve të universitetit.
Ndërkohë dhjetëra studentë të tjerë janë mbledhur në një protest përpara Ministrisë së Arsimit për të protestuar kundër vasinimit të detyruar.
“Të futemi në mësim si të gjithë studentët, dhe jo të bëhet kjo përccaarje kaq e madhe. Nuk jam kundër vaksinimit, jam pro, por jo kundër vaksinimit të detyrueshëm. Këtu ka edhe studentë që e kanë bërë vaksinën dhe janë këtu që pjesa që nuk do ta bëjë vaksinën të mos diskriminohet”, tha një student.
Në të gjitha fakultetet janë vendosur grupe vaksinimi, që në pjesën dërrmuese kanë në dispozicion vaksinat AstraZeneca dhe Sinovac. Një pjesë e madhe e studentëve është shprehur edhe më parë se do të ishin dakord të bënin vaksinën Pfizer.