KRUJË- Prej mëngjesit të ditës së dielë, 320 pacientë janë paraqitur në Urgjencën e Krujës me simptoma hemimi, ku 60 prej tyre janë fëmijë. Dyshimet deri më tani janë se helmimi është shkaktuar nga uji i pijshëm, ndërsa pavarësisht numrit në rritje të qytetarëve që i drejtohen urgjencës për të marrë ndihmë shëndetësore, drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta shprehet se situata është nën kontroll.
“Kjo situatë vijon që nga e diela në mëngjes. Me shenja helmimi kanë ardhur rreth 300 qytetarë. Nuk ka patur raste të rënda që t’i dërgonim për mjekim të specializuar në Tiranë, kanë marrë të gjithë shërbimin këtu. Situata është nën kontroll”, u shpreh ajo.
Pacientët e shtruar në spital thonë se kanë pasur dhimbje barku, dhimje koke e të vjella, ndërsa të gjithë pohojnë se kanë pirë nga uji i çezmës.
“Kam që mbrëmë në darkë që më kanë filluar shqetësimet, sot jam shtruar. Jam nga Kruja, filloi barku fillimisht dhe më pas koka. Kemi pirë ujë nga çezma”, tha një banor nga Kruja i shtruar me shenja helmimi.
Dyshimet e para për helmimin e qytetarëve në Krujë lidhen me uji i pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit, që në Krujë konsumohet masivisht, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet. Nga ana e personelit të shëndetit publik janë marrë disa mostra të ujit të rrjetit të cilat janë dërguar për ekzaminim, e ndërkohë është ndërprerë furnizimi në të gjithë qytetin deri në daljen e përgjigjeve zyrtare. Policia ka njoftuar organet e shëndetit publik dhe të Autoritetet Kombëtar të Ushqimit, për të sqaruar situatën.