PS ka fituar bashkinë e parë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Në bashkinë Vorë votimi dhe numërimi ishte elektronik, ku rezultati përfundimtar u dha shumë shpejt.
Rezultatet në Vorë nxorën fitues Blerim Sherën të Partisë Socialiste me 7530 vota, i cili kishte një diferencë të madhe me kandidatët e tjerë. Gjithashtu ajo që vihet re është se dhe koalicioni Berisha-Meta marrin 4-fishin e votave krahasuar me Bashën.
Pjesëmarrja në bashkinë Vorë ishte 11 096 votues, ku Blerim Shera i PS mori 7530, Lulzim Vrana i koalicionit Berisha-Meta mori 2589 vota dhe Ymer Marku i PD mori vetëm 687 vota. 290 votues kanë votuar për opsionin që nuk zgjedh asnjë kandidat. Procesi i numërimit ende nuk ka nisur për bashkitë e tjera.
Procesi i votimit në Vorë u zhvillua me problematika ku në 22 qendra votimi nisi pa kryetar komisionesh nga PD. Ata u përjashtuan për shkak se nuk ishin nga Vora. Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi theksoi në një deklaratë se në gjysmat e QV-ve në Vorë nuk janë anëtarët e plotë të komisionerëve, por shtoi se është kuorumi minimal i tyre dhe prandaj po zhvillohen normalisht votimet. Nga ana tjetër PD bëri kallëzim penal për 5 anëtarët në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre, duke i akuzuar se kanë minuar procesin zgjedhor në këtë bashki.