Në Shkodër, Durrës, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Vorë ka nisur procesi i votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive, por në disa zona janë hasur vështirësi për shkak të dëborës. Në një deklaratë për mediat, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi bëri me dije se janë 3 qendra votimi në Shkodër, përkatësisht në Pult dhe dhe dy në Shosh ku procesi i votimit nuk ka nisur ende, për shkak se komisionerët janë bllokuar në dëborë.
Në një komunikim me Report Tv, komisioneri i njësisë administrative Pult tha se ata kishin mbetur të bllokuar prej 3 orësh dhe se momentalisht është e pamundur të vijojnë rrugën.
Ndërkohë moti ka shkaktuar probleme edhe në Dibër, ku në 18 qendra votimi mungon energjia elektrike dhe identifikimi i votuesve po kryhet manualisht.
Celibashi bëri me dije po ashtu se probleme me identifikimin elektronik ka patur edhe në një qendër votimi në Durrës. Nga ana tjetër në Vorë procesi i votimi në 22 qendra votimi ka nisur pa komisionerët e PD. Ata u përjashtuan për shkak se nuk ishin nga Vora. PD ka akuzuar se kjo po bëhet për të minuar procesin e zgjedhjeve në këtë bashki.
Deri tani në zgjedhjet e pjesshme kanë votuar disa prej kandidatëve për kryetar të bashkive te cilët njëzëri kanë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë dhe të votojnë për shprehur vullnetin e tyre të lirë.
Janë 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote që do të duhet t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. KQZ ka bërë me dije se janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë. Në të 6 bashkitë do të jenë 941 qendra votimit që do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.
Në Vorë votimi dhe numërimi por kryhet elektronikisht ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.
Kandidatët e PD
Bashkia Shkodër, Xhemal Bushati,
Bashkia Durrës: Luan Hoti
Bashkia Lushnjë: Indrit Sefa,
Bashkia Dibër: Luan Haka
Bashkia Rrogozhinë: Ferdinand Saraçi
Bashkia Vorë: Ymer Marku.
Kandidatët e PS
Për Bashkinë Durrës: Emirjana Sakon
Për Bashkinë Shkodër: Majlinda Angonin
Për Bashkinë Dibër: Rrahim Spahiun
Për Bashkinë Rrogozhinë: Edison Memolla
Për Bashkinë Vorë: Blerim Shera
Për Bashkinë e Lushnjës: Eriselda Sefa
Kandidatët e Grupit të Rithemelimit (Sali Berisha+LSI)
Bashkia Shkodër: Bardh Spahia
Bashkia Durrës: Ardian Muka
Bashkia Lushnjë: Eton Bano
Bashkia Dibër: Premtim Kryemadhi
Bashkia Rrogozhinë: Hekuran Xhani
Bashkia Vorë: Lulzim Vrana