Pas Bashkisë së Vorës, Partia Socialiste ka korrur fitore edhe në Rrogozhinë e Lushnjë.
Numërimi vijon në Bashkinë e Shkodrës, Dibërs dhe atë të Durrësit, ku deri më tani në avantazh mbetet Partia Socilaiste, përveçse në Shkodër, ku duket se po shkon drejt fitores kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ së Sali Berishës. Por, në Shkodër rrezikohet të përsëritët procesi zgjedhor në të gjithë bashkinë. Kjo pasi me anulimin e procesit në 3 qendra votimi, 2 në Shosh dhe 1 në Pult, të cilat kanë 1300 votues, procesi përsëritet nëse Spahia në rastin konkret nuk merr 1300 vota më shumë se Angoni e PS.
Partia Demokratike e Lulzim Bashës ka pësuar një humbje si kurrë më parë në historinë e saj. Një rënie më shumë se dramatike në të 6 bashkitë. Ajo që vihet re gjithashtu është një rritje e Partisë Socialiste thuajse në të gjitha bashkitë.
Në lushnjë kryebashkiakia e re është Eriselda Sefa, e cila ka marrë 21.476 vota. Kandidati i Bashës, Indrit Sefa ka marrë 3877 vota, e ndërsa me një diferencë të thellë nga ai, kandidati i koalicionit Berisha-Meta është renditur i dyti me 11.191 vota.
Në Rrogozhinë kreybashkiaku i ri është Edison Memolla nga PS, i cili ka marrë 5401 vota, ose 60.3% të votave. Në vend të dytë qëndron kandidati i Lulzim Bashës, Ferdinand Saraçi me 1959 vota, dhe i treti Hekuran Xhani i ‘Shtëpisë së Lirisë’ së Sali Berishës me 1594 vota. Kjo është e vetmja bashki ku Lulzim Basha e ka mundur Sali Berishën.
Në Vorë, kryebashkiaku i ri është Blerim Shera nga PS, i cili ka marrë 8431 vota, një diferencë të madhe me kandidatët e tjerë. Gjithashtu ajo që vihet re është se dhe koalicioni Berisha-Meta marrin 4-fishin e votave krahasuar me Bashën. Lulzim Vrana i koalicionit Berisha-Meta mori 2956 vota dhe Ymer Marku i PD mori vetëm 764 vota.