TIRANË- Në ditën e tretë radhazi, nga qytete të ndryshme të vendit, qytetarët janë mbledhur në protesta për të kundërshtuar rritjen e çmimeve. Protestuesit u mblodhën në Tiranë përpara kryeministrisë, por edhe në Lezhë, në Durrës, në Berat, në Korçë e në Shkodër.
Situata më e tensionuar u paraqit në Durrës ku qytetarët bllokuan rrugët kryesore të qytetit dhe pati përplasje pasi thyen kordonin e policisë me qëllim për të bllokuar autostradën Tiranë-Durrës. Si pasojë e përplasjes, në Durrës u shoqëruan 20 persona, ndërsa pati shoqërime edhe në Lezhë, Dibër dhe Berat.
Në qytetin e Dibrës, qytetarët bllokuan për një orë qarkullimin në rrugën e Arbrit. Ndërkohë, qytetarët në Tiranë protestuan për mbi tre orë dhe e zhvendosën protestën nga kryeministria te ‘Zogu i zi’. I pranishëm në protestë ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja i cili u përplas me efektivët e policisë, ndërsa iu kërkoi atyre t’i bashkohen protestës.
“Kush mbjell uri, do korrë revoltë. Taksoni Oligarkët, jo qytetarët. Edhe aq besim nuk kam se në rastin e këtyre vendimeve që mund të marrin, mund të shërbejnë si një lojë, gënjejnë sikur po marrin masa ndërkohë oligarkët me të cilët kanë lidhje do vazhdojnë të pasurohen pasurohen, ndërsa qytetarët të varfërohen. Po nuk dolët çmimet nuk kanë për tu ndalur.
Dje sa erdha nga Amerika pashë 2.5 lekë litri i benzinës. Ca do bëjë njerëzimit më parë, do hanë bukë apo do i fusin benzinë makinës. Liria nuk është falas. Lironi shokët e shoqet tona që janë arrestuar padrejtësisht.
Sot në këtë sheh jemi katërfish më parë se ditën e parë kur e nisëm këtë punë. Sot protestojmë për dinjitetin e fermerëve. Sot protestojmë për dinjitetin tonë se kur vjen fundi i muajit ulim kokën poshtë se kemi ca kacidhe në xhep që as frymë nuk e mbajmë dot gjallë”, thanë protestuesit.
Në lidhje me protestën ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, e cili i ka cilësuar një përpjekje të ulët e hijeve të së shkuarës. Rama shkruan se kjo është një tentativë e dorës së “non gratave” të shpallur dhe të pashpallur për të manipuluar njerëzit duke hedhur gurin e fshehur dorën. Sakaq, presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të adresojë të gjitha problematikat që shpalosin qytetarët në protesta.
Protestuesit kanë paralajmëruar ditën e nesërme në orën 11:00 protestë kombëtare. Në Tiranë do të mblidhen në sheshin Skëndërbej,
ndërsa qytetarët në Durrës kanë paralajmëruar se do vijnë të protestojnë në kryeqytet.
Protesta ka pasur edhe gjatë paradites së sotme ku studentët marshuan sot paradite nga Universiteti Bujqësor deri në sheshin Skëndërbej duke kundërshtuar rritjen e çmimeve. Protestës iu bashkuan edhe studentët në Korçë, ndërsa taksistët protestuan përpara kryeministrisë.
Prej tre ditësh qytetarët janë ngritur në protestë kundër rritjes së çmimit të karburanteve dhe të produkteve të shportës.