Bordi Kombëtar i Administrimit ka njoftuar me vonesë vendimin për ndryshimin e çmimit të karburantit, për shkak të rritjes që pësoi në bursën ndërkombëtare.
Ndonëse Bordi ishte mbledhur një ditë më parë dhe kishte dhënë vendimin por nuk e kishte bërë atë publik, ishin vetë pikat e karburanteve që njoftuan konsumatorët për çmimet e reja.
Sot nafta shitet me 221 lekë për litër nga 203 lekë për litër që ishte që prej datës 16 mars. Ndërkohë një litër benzinë po tregtohet sot me 211 lekë, nga 206 lekë për litër që ishte më parë.
Sipas Bordit ky çmim do të jetë në fuqi për datat 22 dhe 23 mars.
Ndërkohë në tregjet e huaja çmimi i naftës bruto ka arritur mbi 116 dollar fuçia, ndërsa në orët e para të mëngjesit shkoi deri në 119 dollar. Rritje kjo që vjen pas një rënie në nivelet e para luftës në datat 15 dhe 16 mars.