Një shpërthim i fuqishëm me tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Durrës dhe shënjestër ka qenë reperi Rigel Rajku, i njohur ndryshe si Noizy. Sasia e tritolit është vendosur në dyqanin e rrobave ‘Illyrian’ si dhe në lokalin ‘Rigels Shisha Lounge’, të dy biznese në pronësi të reperit Noizy, që ndodhen në lagjen nr 13 në Durrës. Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihet se ka dëmtime të shumta materiale, si në katin e parë të ndërtesës ashtu edhe në katin e dytë, ku janë thyer xhamat, por nuk ka të lënduar në njerëz.
Nga dëshmitë e fqinjëve, shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, aq sa ka shkatërruar edhe banesat e bizneset e tyre aty pranë, ndërsa ka shkaktuar edhe shumë panik për banorët.. Sipas policisë, dyqanin ne katin e parë e kishte me qira Bashkim Rajku, i cili është edhe babai i reperit.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertët e xhenios të Policisë së Shtetit si dhe ata të policisë shkencore të Drejtorisë së Policisë Qarkut Durrës. Lokali prej disa kohësh ishte i mbyllur, ndërsa nuk dihet se kush janë personat që i kanë vendosur tritolin.
Ngjarja ka ndodhur vetëm dy ditë pasi reperi u përfshi me një sherr me Kleviol Ahmetin, i njohur ndryshe si Cllevio, ku në videot e bëra virale në rrjetet sociale shihet teksa ky i fundit goditet me grushte nga Noizy. Nuk dihet nëse ka lidhje me ngjarjen e sotme, por blutë e Durrësit, nisën një hetim gjendje të lirë Noizyn dhe babait të tij Bashkim Rajkun për sherrin. Ndërsa Kleviol Ahmeti, reper i njohur me emrin “Cllevio Serbiano”, po ashtu u arrestua nga policia. Mësohet se pas sherrit me Rigels Rajkun (Noizy), policia e Lushnjes ka arrestuar 36 vjeçarin, pasi kishte thyer masën e ‘arrestit në shtëpi’. Kleviol Ahmeti ishte arrestuar për prodhim të lëndëve narkotike./Shqiptarja.com