Dy ushtarë në Uzinën e Armëve në Gramsh janë sulmuar nga dy rusë dhe një ukrainase, të cilët dyshohen se janë asgjentë të shërbimit sekret rus.
Dyshohet se agjentët rusë po e vëzhgonin uzinën prej rreth një jave. Ditën e sotme, rreth orës 17:40, një prej tyre i është afruar perimetrit të sigurisë. Dy ushtarët, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, i kanë bërë thirrje të ndalojë, por ai ka tentuar të largihet derisa është konfliktuar me ushtarët. Ai u ka hedhur ushtarëve spraj kimik në fytyrë, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Ndërkohë, shteasi tjetër rus dhe ukrainasja po prisnin në makinën me të cilin kishin ardhur, me targa ukrainase AX 6200 IP. Ushtarët kanë arritur që t’i netralizojnë të tre, duke bërë kështu të mundur edhe shoqërimin e tyre nga policia. Dy personat e tjerë ndodheshin në makinë ndërkohë që rusi i ishte afruar uzinës. Ata janë larguar me makinë, por policia i ka ndaluar pak larg uzinës. Në pranga kanë rënë Mikhail Zorin, Zorin, 24 vjeç, Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe dhe ukrainasi me inicialet F. A., 25 vjeç.
“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Dyshimet kryesore janë se shtetasit e huaj janë agjentë rus që po mblidhnin informacione. Kjo sepse ato janë parë teksa kanë fotografuar ambientet e uzinës së armëve në Gramsh, teksa është nëj skemë e ngjashme e ndodhur edhe në vitin 2014 në bazën e Pashalimanit.
Për këtë ngjarje janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Një grup ekspertësh nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme ishte në Uzinën Mekanike për të marrë informacione. Ndërkohë që i është kërkuar edhe ambasadës ruse në vendin tonë informacion për tre shtetasit rusë, pasaportat e të cilëve jamë sekuestruar.