Gledis Nano është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Nano u shkarkua këtë të mërkurë me vendim të Këshillit të Ministrave, me argumentin se ai nuk ka realizuar objektivin e Policisë së Shtetit.
Vendimi u prezantua nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i cili tha se shkarkimi i tij lidhet me të gjitha ngjarjet kriminale që kanë ndodhur sëfundmi në vendin tonë dhe duhej të kishte pasur një reagim më të fortë nga Policia.
Ende nuk është bërë me dije se kush do të jetë drejtori i ri i Policisë së Shtetit, ndërsa posti aktualisht do të mbahet nga nëndrejtori i Policisë, Tonin Vocaj.
“Lidhet me mos përmbushje të objektivat në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit. Për momentin detyrat do i nënshtrojë drejtori i Policisë. Puna do jetë e gjithanshme, ngjarjet e ndodhur kanë qenë arsyeja se policia kërkon një reagim dhe një menaxhim më efikas”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
I pyetur nëse është përgjegjës për ngjarjet kriminale, Çuçi ia kaloi përgjegjësinë Nanos, duke thënë se shkarkimi i tij i mjaftueshëm që Policia e Shtetit të ketë një reagim më të fortë në luftën kundër krimit.
Nano u vendos në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pas dorëheqjes së Ardi Veliut dhe këtë detyrë e mbajti për vetëm 10 muaj.