
Nga Adam Goldman, Michael Rothfeld, Susan C. Beachy, William K. Rashbaum dhe Kenneth P. Vogel gazetarë pranë New York Times
Kur Charles McGonigal, një ish-shef i kundërzbulimit në Byronë Federale të Hetimeve, u akuzua se përdori pozicionin e tij për të përfituar nga biznesi i një bashkëpunëtori të tij në Evropën Lindore, kjo ishte një kthesë befasuese për një zyrtar të rangut të lartë, të cilit i ishte besuar aksesi në disa nga sekretet më të ndjeshme të mbajtura nga komuniteti amerikan i inteligjencës.
Dy persona që kanë njohuri për hetimin bëjnë me dije se brenda byrosë, nisi një debat për vlerësimin e dëmeve të mundshme dhe për të përcaktuar nëse ndonjë operacion kundërzbulimi apo operacion i zbatimit të ligjit ishte komprometuar.
“Kjo vendos një pikëpyetje gjithçka në të cilën ai ishte i përfshirë,” tha Holden Triplett, një ish zyrtar i kundërzbulimit në FBI, që u largua në vitin 2020 dhe bashkëthemeloi, Trenchcoat Advisors, një kompani konsulence për menaxhimin e rrezikut.
“Duhet të përpiqesh të kuptosh, kur filloi e gjithë kjo dhe çfarë preku ai pasi filloi?”, tha z. Triplett, i cili nuk ka njohuri të drejtpërdrejta për rishikimin e karrierës së zotit McGonigal. “Të kthehesh prapa dhe të mendosh se çfarë dëmi mund të jetë bërë, është e dhimbshme.”
Brenda FBI-së, ku ai kaloi 22 vjet, z. McGonigal ishte aq i besuar sa u ngarkua me drejtimin e hetimit për një shkelje të rëndë që çoi në burgosjen, ekzekutimin ose zhdukjen e më shumë se një duzinë informatorëve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Kinë, një nga detyrat më të ndjeshme të FBI-së.
Episodet e përshkruara në dy aktakuza të zbuluara javën e kaluar nga prokurorët federalë në Uashington dhe Nju Jork e vizatojnë zotin McGonigal, 54 vjeç, si një sipërmarrës agresiv në kërkim të të bërit biznes nëpërmjet kontakteve dhe pushtetit që i ofronte pozicioni i tij, duke vepruar pothuajse hapur, pa u zbuluar, pavarësisht rezikut që mund të paraqesë për dikë që mban rangun e tij nëse korruptohet.
Ndërsa ishte ende në FBI, ai krijoi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe sipas prokurorëve në Uashington ndërmori hapa që ishin në dobi të këtij politikani. Zoti Rama e ka portretizuar veten si një reformator dhe në kundërshtim me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por pas daljes në pension në 2018, zoti McGonigal punoi në anën tjetër, ai ishte në listë-pagesën e një oligarku rus të sanksionuar nga SHBA, Oleg Deripaska, që dikur shihej si anëtar i rrethit të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin dhe një personi tjetër, Sergej Shestakov, në Nju Jork.
Një avokat i z. McGonigal, Seth D. DuCharme, nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Por pas aktakuzave të javës së kaluar, ai tha se zoti McGonigal i kishte “shërbyer Shteteve të Bashkuara me aftësi, në mënyrë efektive, për dekada” dhe se ekipi i tij ligjor mezi priste të shqyrtonte provat e qeverisë.
Krimet e mëparshme për të cilat akuzohet z. McGonigal datojnë në gusht 2017, por vlerësimi i dëmit të FBI ka të ngjarë të shkojë shumë më tej, thanë ish-zyrtarët. Fakti që ai mund të ketë gënjyer. ndërsa ishte ende në detyrë, për pranimin e parave nga një bashkëpunëtor biznesi dhe kontaktet me individë të huaj, ka ngritur gjithashtu shqetësime për hapësirën dhe kohëzgjatjen e mashtrimeve të tij të mundshme.
McGonigal doli në pension nga FBI në vitin 2018 si agjent special i ngarkuar me kundërzbulimin në Nju Jork, duke raportuar te drejtori i zyrës në terren. Sektori i kundërzbulimit, i cili në FBI fokusohet në identifikimin, zbulimin dhe mbledhjen e inteligjencës së huaj në tokën amerikane, është veçanërisht i rëndësishëm në Nju Jork, ku prania e Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të shumta diplomatike paraqesin mbulesa të bollshme për spiunët e mundshëm.

Rangu i lartë i zotit McGonigal duhet t’i ketë dhënë atij një pamje të gjerë të asaj që po ndodhte në të gjithë agjencinë dhe komunitetin e inteligjencës, dhe përfshirjen në vendimet strategjike, si për shembull ku të drejtoheshin skuadrat e agjentëve specialë në terren, thanë ish-zyrtarët. Në përgjithësi detyra e tij nuk parashihte udhëtime të shpeshta ndërkombëtare, nuk përfshinte takime me krerët e shteteve ose implikim të drejtpërdrejtë në hetime, por z. McGonigal akuzohet se i ka bërë të gjitha këto.
“Ju po flisni për katër nivele mbi hetuesit aktualë,” tha Clayt Lemme, një ish-zyrtar i FBI që mbikqyrte kundërzbulimin në zyrën e Byrosë në Uashington. “Në rrethana normale, ai nuk do të përfshihej në vendimet e përditshme për hapjen apo për mbylljen e një çështjeje”.
Gatishmëria e zotit McGonigal për t’u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, të bën të mendosh se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët. Ai gjithashtu përdori adresën e emailit dhe telefonin e FBI-së për çështjet që lidhen me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim.
Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të kishte zoti McGonigal për ato udhëtime dhe takime, ato mund të kenë shërbyer si mbulesë për aktivitete të dyshimta, thanë të tjerë.
Fakti që krimet e dyshuara ndodhën pak përpara daljes në pension, tregon se zoti McGonigal mund të ketë nisur ose të ketë shtuar aktivitetet e paligjshme pas kryerjes së testeve të fundit të poligrafit, të cilat supozohet se do të administrohen çdo pesë vjet.
Zoti Triplet tha se tradhtia e agjencisë nga dikush me pozitën e zotit McGonigal për 225,000 dollarë, nëse vërtetohet, do të ishte befasuese duke pasur parasysh se ish-zyrtarët mund të fitojnë shuma të konsiderueshme si konsulentë pas daljes në pension, përveç pensioneve të majme.
Por nuk do të ishte e paprecedentë. Robert P. Hannsen, agjenti i FBI-së i kthyer në spiun, i cili furnizoi me informacione të klasifikuara Rusinë për dy dekada dhe po vuan dënimin e përjetshëm, filloi të bashkëpunojë me rusët në fund të viteve 1970, ndërsa ishte në një njësi kundërzbulimi në Nju Jork.