Presidenti i ‘Hysenbelliu Group’, Irfan Hysenbelliu deklaroi se aksioni i sotëm për konfiskimin e ‘Prestige Resort’ e sulmet e kryeministrit vijnë pasi nuk ka pranuar të shesë televizionin apo të ndryshojë linjën editoriale. Ai e ka bërë pohimin në një intervistë për News24 ndërsa e quajti kreun e qeverisë ‘njeri të sëmurë’.
Po kështu Hysenbelliu zbuloi komunikimet e tij me kreun e qeverisë, ku sipas tij, Rama i ka kërkuar që t’i bëjë presion një ish-ministri të Jashtëm por pa e zbuluar emrin.“Unë ndihem shumë i qetë se nga një njeri i sëmurë çfarë nuk pret. Kryeministrit i janë botuar kartelat psiqike të tij. Nuk shqetësohem për këtë. Raportet e kryeministrit me mua thonë se kanë qenë shumë të mirë. Qëkur ishte në Bashki dhe më pas kemi pasur debate, për shkak se ai tjetër gjë ka në shpirt dhe tjetër gjë pasqyron.
Kohë më parë bashkë me shefin e IKMT-së, çonte vazhdimisht policinë. I shkruaja sms dhe i thosha ‘po u çoj ujë dhe bukë, ti vazhdo mbaji aty’. Rama është një aktor shumë i zoti, tjetër gjë pasqyron dhe ndryshe vepron. Kur ishim në Beograd rastësisht bashkë, të nesërmen çoi policinë te Prestige. Kur isha në SHBA sa më pa që dola në media, i vuri tritolin. Këto ditë kam qenë me familjen në Athinë, ai ishte aty në të njëjtin hotel.
Aty shkëmbeheshim, atij i rrotulloheshin sytë saqë u largua.Pse e shqetëson kaq shumë atë njeri? Nuk kam qenë nga ata botues që t’i bëja presione njerëzve të rëndësishëm. Rama më thoshte bëji presion një ministri të Jashtëm.
Më çoi sms ‘bëji transparencën deri në fund ministrit të Jashtëm dhe pastaj fshije këtë sms”. Si mund t’ia bëja unë këtë ministrit të Jashtëm kur ai bënte detyrën, gëzonte respekt në punën e tij. Rama e nisi këtë se nuk isha pjesë e vijës së tij editoriale.