24.5 C
Tirana
E premte, 13 Tetor, 2023

Rama ndryshon kabinetin qeveritar, ikën Xhaçka, Krifca e Kushi! Ministrat e rinj, ‘shpërblehet’ Mazniku

- Advertisement -spot_imgspot_img

Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar pothuasje gjysmën e qeverisë, ndërsa pesë ministre janë larguar nga detyra. Në Asamblenë e Partisë Socialiste, ku mbajti një fjalim mbi një orë, Rama prezantoi ndryshimet në qeveri që do t’i dërgohen Presidentit Bajram Begaj për t’i dekretuar.

Më konkretisht, është larguar ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ministrja për Sipërmarrjen, Edona Bilali dhe ministrja për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi.

Ndonëse ishte përfolur që do shkarkohej, Rama zgjodhi që ministren Delina Ibrahimaj ta ulë në detyrë. Nga ministria e Financave ajo do të vendoset në krye të Sipërmarrjes, ministri pa portofol që deri më tani drejtohej nga Bilali. ‘Frenat’ e Ekonomisë do t’i marrë kreu i AMF, Ervin Mete.

Vendin e Frida Krifcës do e zërë Anila Denaj, një rikthim për këtë të fundit në kabinetin qeveritar, pasi ka drejtuar ministrinë e Financave për dy vite, 2019-2021.

Postin e ministrit të Jashtëm, kryeministri ka zgjedhur që t’ia besojë Igli Hasanit, ish-ambasador pranë OSBE në Vjenë. Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është vendosur në drejtimin e ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Drejtoresha e DAP, Albana Koçiu është prurja e re e Ramës, e cila do vendoset në krye të ministrisë së Shëndetësisë.

Kreu i qeverisë ka vendosur t’i japë më shumë besim dhe të rrisë në karrierë nënkryetarin e Bashkisë Tiranë, Arbi Maznikun, duke e emëruar ministër për pushtetin Vendor. Mazniku është një figurë e rëndësishme dhe me kontribut në Bashki por edhe brenda në PS. Teksa shtohet ministria për Pushtetin Vendor, shkrihet ajo e Standardeve dhe Shërbimeve.

Por pse zgjodhi Rama të largojë drejtueset e tre ministrive më të rëndësishme?

Olta Xhaçka është marrë në pyetje disa herë nga SPAK për hetimet që po zhvillohen për tjetërsimin e bazës detare në Sarandë për llogari të Artan Dulakut. Xhaçka asokohe drejtonte ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu, një tjetër çështje e hapur për Xhaçkën është edhe heqja e mandatit që kërkohet nga opozita, të cilët e akuzojnë se bashkëshorti i saj ka përfituar hapësirë në bregdet si investitor strategjik falë rolit të saj si ministre. Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që Kuvendi të dalë me një përgjigje, pasi vetë mazhoranca nuk miratoi raportin e opozitës të dalë nga Komisioni Hetimor për t’i hequr mandatin.

Figura e Frida Krifcës u atakua me skandalin e fondeve të IPARD II, të cilat janë ndërprerë me dyshimin se janë abuzuar. Për këtë çështje Zyra Europiane kundër Mashtrimit ka nisur hetimet.

Mesa duket Rama është përpjekur që të largojë ato emra që mund të rrezikojnë karrierën politike, duke preferuar t’i largojë vetë. Ndërkohë, sa i takon Ibrahimajt nuk dihet nëse largimi i saj nga ministria e Financave dhe emërimi tek ajo e Sipërmarrjes erdhi vetëm sepse media zbuloi që mund të shkarkohej dhe kryeministri nuk e bëri qëllimisht, apo vërtetë nuk donte që ta linte pa post.

NDRYSHIMET E PROPOZUARA 

-Ervin Mete, ministër i Ekonomisë dhe Financave

Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

Anila Denaj, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ogerta Manastirliu, Ministër i Arsimit dhe Sportit

-Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

-Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen

Arbi Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor 

-Shkrihet ministria e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, ikën Milva Ekonomi

- Advertisement -spot_imgspot_img
LAJMI FUNDIT
- Your ads here -spot_img
TË NGJASHME
- Your ads here -spot_img